Një nga elementët më të rëndësishëm të procesit të rregullt ligjor është mundësia faktike e qytetarëve për të marrë pjesë në procese të ndryshme. Procesi i rregullt ligjor është i garantuar nga një sërë aktesh ndërkombëtare si: Deklarata Universale e të Drejtave të Njeriut, Pakti Ndërkombëtar për të Drejtat Civile dhe Politike, Konventa Evropiane e të Drejtave të Njeriut etj. Të gjithë këto instrumente parashikojnë të drejtat e individëve për mbrojtje ligjore, për barazi para ligjit, për mjete juridike efektive etj. Një nga mekanizmat thelbësorë për të garantuar pjesmarrjen në procese është ndihma juridike e garantuar nga shteti.
Në disa prej rekomandimeve më të rëndësishme të Komitetit të Ministrave në Këshillin e Europës, është vendosur standardi se ndihma juridike duhet të mundësohet jo vetëm për mbrojtjen ligjore në proceset gjyqësore, por edhe në rastet e nevojës për këshillim ligjor, për të gjithë qytetarët të cilët nuk kanë mundësi ekonomike.
Në vitin 2017, Kuvendi i Shqipërisë miratoi ligjin e ri për Ndihmën Juridike të garantuar nga shteti në kuadër të Reformës në Drejtësi. Ky studim ka për qëllim të parashtrojë një përmbledhje të ligjit nr.111/2017 “Për Ndihmën Juridike të garantuar nga Shteti” si dhe përfituesve të saj që prej vitit 2019.
Përmes këtij studimi synohet të analizohet ligji për ndihmën juridike në tre aspekte:
- Analizë e Llojeve të ndihmës juridike dhe subjekteve
- Analizë e Numrit të përfituesve të ndihmës juridike
- Perceptimin e qytetarëve mbi ndihmën juridike