Turizmi është kthyer tashmë në një industri të fuqishme në Shqipëri, me një ndikim në formimin e Prodhimit të Brendshëm Bruto si dhe në nxitjen e vendeve të reja të punës. Gjatë këtyre pothuajse dy vite pandemi, turizimi është një nga sektorët që u dëmtua më rëndë, realitet i parë edhe në vende të tjera të botës. Fatkeqësisht edhe verën që lamë pas, Shqipëria nuk arriti të përfitojë nga turizmi në përmasat që duhej, për shkak të masave në lidhje me covid-19, masa këto që u ndërmorën në mënyrë të pa studiuar nga Komiteti Teknik i Ekspertëve. Me një mesatare shumë të ulët të rasteve gjatë muajve të verës, Shqipëria paraqitej në një situatë shumë të mirë epidemiologjike, duke mos pasur nevojë për masa ekstreme. Në muajin korrik, në Shqipëri kishte vetëm 1 vdekje. Ndërkohë që vendet e tjera të Rajonit ishin të hapura, Shqipëria vazhdonte akoma të kishte ‘orën policore’, vazhdonte të mbante të
mbyllur jetën e natës si dhe të kufizonte grumbullimet mbi një numër të caktuar individësh. E në të njëjtën kohë, në Shqipëri ishte arritur imuniteti i masës duke i bërë këto masa totalisht të panevojshme. Arritja e imunitetit të tufës sigurisht që i kushtoi Shqipërisë shtrenjtë, pasi nuk u arrit në një mënyrë të kontrolluar por kishte një kosto të lartë në jetët e humbura. E megjithatë, ky imunitet i krijoi dhe një mundësi unike për të ofruar një turizëm të sigurt, si asnjë shtet tjetër në Evropë.
Për më shumë lexoni raportin e plotë më poshtë 👇: