PËRSHKRIM I SHKURTËR, CV DHE KONTAKTI ME ANALISTIN
Gevio Tabaku ka përfunduar studimet me rezultate te larta pranë Universitetit “Barleti”, ku një pjesë të studimeve i kreu në SH.B.A, në Universitetin e Maine, falë një burse prestigjioze të dhënë nga Departamenti Amerikan i Shtetit. Gevio është diplomuar në nivelin BSc për Informatikë të Aplikuar, dhe aktualisht vijon studimet në nivel MSc, në po të njëjtën fushë.
Në vitin 2018, gjatë kohës që ishte maturant, Gevio krijoi PortaliStudentor.al, i cili sot është lider në fushën e informimit dhe sjell për çdo maturant e student një shumëllojshmëri shërbimesh inovative të cilat ofrohen në platformën online. PortaliStudentor.al përdoret çdo vit nga 75% e të gjithë maturantëve në vend, të cilët përfitojnë nga shërbimet e ofruara. Krahas angazhimit me Portalin Studentor, Gevio gjithashtu ka themeluar Bordin Kombëtar Studentor, i cili përbëhet nga më shumë se 50 studentë nga universitete publike dhe private të vendit dhe ka si fokus zhvillimin e jetës studentore si edhe adresimin e problematikave që studentët hasin në përditshmëri.
Paralelisht me angazhimet e mësipërme, Gevio ka punuar për rreth dy vite pranë Institutit Demokratik Amerikan (NDI), ku ka qënë gjithashtu pjesë e programit të praktikave në Kuvendin e Shqipërisë. Ai është i certifikuar nga OSBE-ODIHR si monitorues afatgjatë i zgjedhjeve (LTO), ka qënë anëtar i Grupit Këshillmor Rinor pranë Prezencës së OSBE në Shqipëri, anëtar i Rrjetit Rinor Evropian për Demokraci, dhe është aktualisht pjesë e ekipit të Ambasadorëve të të Rinjve Evropian për Shqipërinë, program i cili financohet nga Bashkimi Evropian.