Viti 2022 është shpallur nga Bashkimi Evropian, si Viti Evropian i Rinisë, me qëllim për të vendosur në fokus rëndësinë që kanë të rinjtë me kontributin e tyre në të tashmen si dhe projeksionin për të ndërtuar një të ardhme më të shëndetshme dhe të sigurtë për të gjithë. Megjithatë, ngjarjet globale të viteve të fundit nuk kanë ndikuar pozitivisht në këtë drejtim. Zhvillime të tilla si: ndryshimet klimatike globale, situata e pandemisë dhe së fundmi lufta në Ukrainë, kanë krijuar një hapësirë për reflektim mbi gjendjen e të rinjve sot, në vendin tonë, në rajon dhe më gjerë. Përgjatë vitit 2022, Tirana mbart titullin si “Kryeqyteti Evropian i të Rinjve”. Pavarësisht titujve apo agjendave politike, në realitetin shqiptar, një ndër problematikat më të mëdha të rinisë lidhet me papunësinë. Të rinjtë shqiptarë po përballen me sfida dhe vështirësi të cilat kushtëzojnë çdo ditë jetesën e tyre brenda vendit. Kjo konfirmohet jo vetëm nga vetë ata, por dhe nga të dhënat zyrtare të cilat tregojnë se të rinjtë gjithnjë e më shumë kërkojnë të largohen nga Shqipëria. Vendit tonë i mungojnë politikat për të adresuar çështjet më shqetësuese për rininë; duke filluar me punësimin dhe duke vazhduar me sigurimin e alternativave të tjera për angazhimin e tyre në tregun e punës.
Për më shumë lexoni raportin e plotë më poshtë 👇: