Ekonomia është një nga aspektet më të rëndësishme për një shtet që tregon se sa mirë qytetarët e tij po jetojnë. Shqipëria është një nga vendet me demokraci në tranzicion drejt zhvillimit ekonomik që nga vitet ’90-të. Tre janë sektorët kryesorë të ekonomisë, Agrikultura, Pyjet dhe Peshkimi; Industria dhe Shërbimet. Në botën post-industriale ka marrë vëmendje të theksuar sektori i shërbimeve. Edhe për Shqipërinë si tek pjesa më e madhe e vendeve të botës, sektori i tretë përbën sektorin me ndikimin më të madh në ekonomi, por duke pasur një pjesë të vogël të popullsisë të angazhuar në këtë sektor. Duke shikuar pjesën e punësuar në secilin nga sektorët dhe kontributin në PBB, është gjetur eficensa e secilit nga sektorët. Në këtë mënyrë është analizuar se cili sektor duhet të ketë vëmendje të shtuar nga Qeveria dhe çfarë mund të bëhet për ta përmirësuar atë. Qëllimi i këtij punimi është që të analizojë tre sektorët ekonomikë kryesorë dhe të shikojë se cili është ndikimi i secilit prej tyre në ekonominë shqiptare duke realizuar edhe një krahasim me vendet e tjera të botës të ndara në katër kategori të ndryshme (vende me të ardhura të ulëta, vende me të ardhura të mesme të ulëta, me të ardhura të mesme të larta, dhe me të ardhura të larta). Po ashtu në raport është treguar edhe niveli i punësimit sipas secilit sektor duke bërë të mundur kështu që të shikojmë edhe raportin e kontributit në PBB të secilit sektor në ekonomi. Në shqyrtim janë përfshirë edhe dy nënsektorët më të rëndësishëm për ekonominë shqiptare në vitet e fundit siç janë Ndërtimi dhe Turizmi, duke treguar varësinë e lartë që ekonomia po krijon për shkak të këtyre dy nënsektorëve. Në fund janë dhënë edhe përfundimet bashkë me rekomandimet përkatëse.
Për më shumë lexoni raportin e plotë më poshtë 👇: