Organizata Qëndresa Qytetare ka paditur në gjykatë ministren e Arsimit Besa Shahini për udhrin e dhënë për mbajtjen e zgjedhjeve në Universitet.
Në padi, ata kërkojnë që të anulohen zgjedhjet e 12 qershorit në universitete, pasi studentët nuk kanë mundësi që të marrin pjesë për shkak të karantinës dhe gjendjes së fatkeqësisë natyrore për shkak të koronavirusit.
Zgjedhjet për drejtuesit e rinj të universiteteve publike janë kthyer në një debat për shkak të pamundësisë së studentëve për të marrë pjesë në këto zgjedhje, pasi sipas urdhrit të Ministrisë së Arsimit, fushata duhet të nisë më 11 maj dhe zgjedhjet të mbahen më 12 qershor.
Ekspertët dhe Universiteti i Tiranës kanë dalë kundër këtij vendimi, ndërsa Ministria e Arsimit ende nuk e ka thënë fjalën e saj.
Por Komisioni Institucional i Zgjedhjeve në Universitetin i Tiranës ka marrë vendimin të shpallë hapjen e regjistrimit të kandidatëve për rektor e anëtar senati që më 4 prill, duke shkaktuar kështu një kaos për procesin zgjedhor.
Dy ditë më parë, Rektori i Universitetit të Tiranës, Mynyr Koni firmosi shkarkimin nga detyra të Kryetares së Komisionit të Zgjedhjeve Majlinda Keta dhe katër anëtarëve të tjerë.