Një ditë para zgjedhjeve në Universitet studentët së bashku me organizatën “Qëndresa Qytetare” i kërkuan Presidentit Ilir Meta që të mos dekretojë rektorin e UT-së, që del nga zgjedhjet e 30 korrikut.
Pas takimit me kabinetin e Presidentit të Republikës studentët bënë me dije se i kanë kërkuar presidentit që të mbajë edhe një qëndrim paraprak, përpara se zgjedhjet të bëhen.
“Sigurisht fokusi ishin zgjedhjet në Universitetit të Tiranës, i cili në bindjen tonë janë rasti më i pastër i një procesi të paligjshëm, duke i kërkuar Presidentit të ketë parasysh se cilat kanë qenë shkeljet ligjore të këtij procesi”, tha studenti, Marash Logu.
Në një intervistë për Euronews Albania përfaqësues i “Qëndresës Qytetare”, Migen Qiraxhi tha se i kanë vendosur në dispozicion Presidencës dosjen me të gjitha shkeljet ligjore që kanë ndodhur prej muajit Prill në Universitetin e Tiranës.
“Ajo që bie në sy është se ne ndodhemi në një situatë të përkeqësuar të pandemisë covid-19 dhe sigurisht që urdhri i Ministres ka sugjeruar që studentët e vitit të parë dhe të dytë bachelor si dhe studentët e vitit të parë master do të ndodhen në universitet pas datës 3 gusht dhe kjo e pamundëson pjesëmarrjen në zgjedhje. Sigurisht që një seri problematikash ligjore kanë ndodhur në këtë universitet, nga formimi i KIZ-it, pra ajo që quhet KQZ e Universitetit të Tiranës, e cila sigurisht ka mbivendosur kompetencat e rektorit dhe në gjykimin tonë dhe të konsumimit të mandatit të saj për certifikuar më pas zgjedhjet”, u shpreh Migena Qiraxhi.
Mbajtja e zgjedhjeve në universitet pikërisht në kohë pandemia, ka bërë që edhe PD-ja të dalë me një reagim publik. Ish-deputetja e Partisë Demokratike, Albana Vokshi tha se zgjedhjet e 30 korrikut janë në shkelje të të drejtave të studentëve.
“Këto zgjedhje janë pa garë dhe pa votues. Disa komisione zgjedhore janë pa legjitimitet dhe me mandat të mbaruar. Pedagogëve u është hequr mundësia të bëjnë fushatë, për shkak të pandemisë. Këto padrejtësi dhe paligjshmëri burojnë nga urdhri i Ministres së Arsimit për të zhvilluar më 30 korrik zgjedhje farsë në universitete.”, tha Vokshi.
Zgjedhjet në Universitetin e Tiranës pritet të zhvillohen ditën e nesërme. Në garë për postin e rektorit të UT janë Mimoza Hafizi, Kozeta Sevdari dhe Artan Hoxha.