Organizata jofitimprurëse Qëndresa Qytetare publikoi të mërkurën rezultatet e analizës së saj mbi degët universitare që janë në prag mbylljes në disa prej universitetet publike në Shqipëri.
Sipas përfaqësuesve të kësaj organizate, për shkak se pandemia e COVDI-19 dhe izolimi penguan lëvizjen ndërmjet qyteteve, maturantët aplikuan gjerësisht në universitet publike jashtë Tiranës, por kjo valë regjistrimesh nuk ka mjaftuar për t’i shpëtuar shumë degë studimi në këto institucione të arsimit të lartë.
“Rezulton numri më i lartë i regjistrimeve në rrethe ndër vitet e fundit me mbi 1700 studentë më shumë se viti i kaluar 2019, por përsëri 59 degë studimi po shkojnë drejt mbylljes në universitet e rretheve pasi nuk plotësojnë minimumin prej 10 studentësh në raundin e 3-të,” citohet në gjetjet e analizës së kryer nga Qëndresa Qytetare.
Sipas organizatave të shoqërisë civile, Ministria e Arsimit është përgjegjësja direkte për gjendjen e mjerueshme të arsimit në Shqipëri.
Nga analiza e kryer prej Qëndresës Qytetare në lidhje me degët dhe lëndët mësimore në universitetet publike, shprehet shqetësimi që degët si “Historia”, “Gjeografia” dhe “Gjuha shqipe” po shkojnë drejt mbylljes në të gjitha universitetet e rretheve, ndërsa degët “Infermieri”, “Mami”, dhe “Fizioterapi” në kanë pasur rritje në regjistrime – kjo përkon dhe me faktin se këto degë kryesisht lidhen me profesione për të cilat synohet tregu i jashtëm i punës.
Ndërkohë, degë të tjera të cilat lidhen me tregun vendas të punës duket se po rrezikohen ndjeshëm nga mungesa e interesit të studentëve, që po çon këto profesione drejt zhdukjes.
“Universiteti ‘Aleksandër Moisiu’ në Durrës, priti numrin më të madh të regjistrimeve krahasuar më 2019-tën, me një rritje prej 401 studentësh (në raundin e dytë), por 4 degët që shkojnë drejt mbylljes në këtë universitet janë Menaxhim Turizmi Arkeologjik, Menaxhim Turizmi Kulturor, Hoteleri Turizëm, Fizolofi-Sociologji “, tha Qëndresës Qytetare.
“Gjithashtu, ne universitetin e Elbasanit dhe të Gjirokastrës, pothuajse gjysma e degëve të studimit po shkojnë drejt mbylljes, specifikisht 12 nga 21 degë janë drejt mbylljes në Gjirokastër dhe 20 nga 42 drejt mbylljes në Elbasan”, përfundoi organizata e shoqërisë civile.