Në 10 korrik të vitit 1920 u themelua Biblioteka Kombëtare Shqiptare si institucioni i parë shtetëror, publik dhe laik, ndonëse tradita dhe pasuria librore është me e vjetër se ky institucion, duke nisur që në Mesjetë e duke u pasuruar ndër shekuj përmes zhvillimeve historike. Për krijimin e Bibliotekës Kombëtare si institucion i parë shtetëror, shërbeu fondi i bibliotekës së ‘Komisisë Letrare Shqipe”, organizëm i përbashkët shqiptaro-austriak, i krijuar në qytetin e Shkodrës më 1917. Më vonë, ky fond u vendos në Ministrinë e Arsimit në Tiranë, për t’u pasuruar në vijim deri në riorganizimin e tij si një insitucion më vete.
Sipas të dhënave1 të Bibliotekës, në vitet 1922 ajo kishte 6000 vëllime, ndërsa mbarimi i Luftës së Dytë Botërore e gjeti Bibliotekën me 15 000 vëllime. Më 1966 Biblioteka Kombëtare u vendos në një ndërtesë të re të asaj kohe, në Pallatin e Kulturës, ku gjendet edhe sot.