ÇFARË VËRTETOI PANDEMIA COVID-19 PER SHQIPËRINË DHE SISTEMIN TONË SHËNDETËSOR?
Ashtu si në të gjithë botën, edhe vendi ynë u gjet i papërgatitur përballë një pandemie globale. Sistemet shëndetësore anembanë përfunduan në kolaps e kjo tregoi se qeveritë nuk i kishin kushtuar rëndësinë e duhur. Pandemia covid e nxori zbuluar sistemin shëndetësor shqiptar dhe dështimin e çdo hallke të shërbimit shëndetësor. Këtë dështim e kanë vuajtur dhe po e vuajnë me mijëra familje, pjesëtarët e të cilave u infektuan me covid dhe humbën jetën. Në Shqipëri përgatitja për të përballuar pandeminë e shkaktuar nga COVID-19, nisi me një Urdhër të Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale me datë 24 Janar 2020 “Për forcimin e përgatitjes për t’u mbrojtur ndaj depërtimit së koronavirusit të ri dhe parandalimit të përhapjes së tij në Shqipëri”. Në datën 24 mars 2020 qeveria shqiptare shpalli gjendjen e fatkeqësisë natyrore, kur ishin regjistruar vetëm 5 viktima nga 123 persona të prekur nga COVID-19. Sot, kemi rreth 85 mijë të prekur dhe rreth 1500 raste vdekjeje, sipas të dhënave zyrtare të Ministrisë së Shëndetësisë. Gjatë pothuajse një vit pandemi, qeveria shqiptare mori shumë vendime që ndikuan jetën e çdo shqiptari, qoftë në ekonomi, në liri apo në shëndetësi.
Siç u theksua më herët, Shqipëria u gjen totalisht e papërgatitur, me një sistem shëndetësor të dobët e me mungesa personeli e infrastrukture. Sistemi ynë shëndetësor, edhe në kushte normale, mbetet një sistem me shumë probleme, një sistem që nuk arrin të funksionojnë si duhet e të ofrojë atë çfarë duhet. Në Shqipëri, sistemi shëndetësor nuk i shërben qytetarit, por i shërben politikës e biznesit. Duket sikur shëndetësia është miniera e arit për politikanët dhe biznesmenët e se politika i është vënë në shërbim të plotë biznesit duke i lejuar të shfrytëzojnë në çdo aspekt sistemin e brishtë shëndetësor që kemi. Shembulli më konkret janë konçensionet, tenderat sekretë apo edhe mungesa e rregullimit të tregut. Me keq-menaxhimin që bëhet, është e pamundur të investohet në infrastrukturë apo në mjete që zhvillojnë sistemin dhe ia bëjnë punën më të lehtë personelit shëndetësor. E me largimin e mjekëve apo të infermierëve situata po vështirësohet gjithjnë e më tepër.
Për më shumë lexoni raportin e plotë më poshtë 👇: