NDËRTIMET PA LEJE
Paraditen e sotme 150 studentë të ciklit Mastër në Fakultetin e Ekonomisë, Universiteti i Tiranës, kanë dorëzuar një peticion pranë Rektoratit të UT me anën e të cilit i kërkojnë unviersitetit ti pajisë më kartonin e diplomës.
Studentët shprehen se kanë përfunduar ciklin master në vitet 2017 – 2019, kanë paguar tarifën e plotë të masterit dhe tarifën e kartonit të diplomës por prej një viti nuk ju vihet në dispozicion diploma, e cila është dokumenti që certifikon edhe dijet e tyre. Askush, dhe për cfarëdo arsye, nuk ka të drejtë të mbajë peng karrierën dhe të ardhmen tonë profesionale, për dëshirat dhe ambiciet e tij personale, u shpreh Ines Mulellari, ish-studente masteri.
Kësaj nisme i është bashkuar edhe Qëndresa Qytetare e cila ka bërë apel ndaj drejtuesve të universitetit të mos mbajnë peng te ardhmen e studenteve për shkak të mosmarrëveshjeve mes tyre personale. Në rast se studentët nuk do të pajisen me diplomat e studimeve brenda afatit 10 (ditor) nga momenti i dorëzimit të këtij peticioni, ne së bashku me studentët do të ndërmarrim të gjithë hapat e nevojshëm ligjor, hetimor dhe gjyqësor për vendosjen në vend të drejtës tonë, të cënuar padrejtësisht, u shpreh Marash Logu, përfaqësues i Qëndresës Qytetare.
Në përmbajtjen e kërkesës të depozitouar sot në Rektoratin e UT thuhet se:
Ligji dhe udhëzimet parashikojnë se IAL duhet të dërgojnë pranë Qendrës së Shërbimeve Arsimore (QSHA) listën e studentëve të regjistruar në vitin akademik. QSHA brenda një afati të caktuar duhet t’i kthejë IAL listën e studentëve të dërguar së bashku me numrin e matrikullimit
Në rastin konkret, Fakulteti i Ekonomisë pranë Universitetit të Tiranës nuk i ka përcjellë listën e studentëve të regjistruar në ciklin e dytë të studimeve në vitin akademik 2017 – 2018 Rektoratit të UT-së, i cili më pas do t’ia përcillte QSHA, por ia ka dërguar drejtpërdrejtë QSHA-së. Kjo e fundit ka pajisur studentët me numrat e matrikullimit, ndërsa ka kërkuar që për disa studentë të plotësoheshin disa informacione shtesë. Rezulton se Rektorati i UT-së ka plotësuar të dhënat shtesë për disa studentë dhe ia ka përcjellë zyrtarisht QSHA-së, e cila ka bërë më pas pajisjen me numër matrikullimi edhe për këta studentë.
Pra, është e qartë se pavarësisht se Fakulteti i Ekonomisë, Universiteti i Tiranës nuk ka respektuar detyrimin e saj për dërgimin e listës së studentëve të regjistruar pranë Rektoratit të UT-së, dërgimi në mënyrë të drejtpërdrejtë e ka realizuar qëllimin e ligjshëm, pasi QSHA ka pajisur studentët me numër matrikullimi. Kjo do të thotë që problematika e ngritur nga ana e Rektoratit sa i përket pajisjes ose jo të studentëve me numër matrikullimi nga QSHA nuk përputhet me realitetin, pasi QSHA ka konfirmuar pajisjen e studentëve me numër matrikullimi, dhe nuk ekziston asnjë pengesë për pajisjen e studentëve me diplomat përkatëse.