👉 Anila Salianji: Shqipëria dha ndihmën më të ulët në Rajon për qytetarët e vet, me vetëm 0.86% e PBB.
👉 Salianji: ½ e Fondit të Garancisë Sovrane shkoi për 10 kompanitë e mëdha konçensionare.
👉 QQ: Qeveria të ofrojë mbështetje financiare transaprente, jo diskriminuese dhe massive për biznesin e vogël.
Ekonomia e Shqipërisë pësoi dy goditje njëpasnjëshme, efektet e tërmetit shkatërrimtar dhe pandemisë globale Covid-19. Izolimi i detyruar dhe paralizimi i aktivitetit ekonomik detyroi qeverinë të marrë një sërë masash për përballimin e situatës.
Sipas raportit të monitorimit të Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë brenda një periudhe të shkurtër kohore, buxheti i shtetit u rishikua 3 herë dhe pritet një reduktim në masën 63.1 miliardë lekë i të ardhurave buxhetore në krahasim me buxhetin fillestar të vitit 2020. Sipas Bankës Botërore tkurrja e ekonomisë së Shqipërisë llogaritet më e larta në Rajon me 5 deri në 6.9%.
Qeveria i erdhi në ndihmë bizneseve dhe qytetarëve me dy paketa financiare. Nga paketa e dytë përfituan 167.206 punonjës, 10 mijë më pak nga sa deklaroi kryeministri Rama gjatë prezantimit të paketës. Pavarësisht dy paketave të ndihmës, për periudhën mars – korrik 2020 u mbyllën 32 400 biznese, 98% e të cilave ishin biznese të vogla të cilat lanë pa punë dhe pa të ardhura 57 000 qytetarë.
Nga fondi i dytë i Garancisë Sovrane kanë përfituar 119 biznese me një vlerë afërsisht 3.1 miliardë lekë, nga 15 miliardë lekë që ishin vënë në dispozicion me anë të këtij instrumenti.
Gjysma e Fondit te garancisë Sovrane shkoi për llogari të 10 kompanive të mëdha, njëkohësisht përfituese të koncesioneve, të cilat së bashku deri në fund të muajit maj kishin tërhequr nga llogaritë vetëm 24% të shumës totale të përfituar, duke mos reflektuar nevoje emergjente per likuiditet.
Fasoneria rezulton numerikisht më e interesuara për ndihmë qeveritare me 44 kompani përfituese të cilat së bashku kanë përfituar 642 milionë lekë financim nga bankat, dhe për shkak të nevojave të tyre për likuiditet ato kanë tërhequr mbi 70% të shumës deri në fund të muajit maj.
Shqipëria ka pasur ndihmën direkte më të ulët në Rajon, me vetëm 0.86% e PBB me vetëm 97 milionë euro ndihmë të drejtëpërdrejtë tek qytetarët dhe bizneset. Ky nivel i ulët ndihme shpjegohet edhe me nivelin e lartë të borxhit publik që ka vendi ynë. Borxhi publik ka arritur shifrën rekord prej 80% të Prodhimit të Brendshëm Bruto dhe pritet që deficiti të rritet në 8,5% të PBB-së këtë vit.
Anila Salianji, Analiste e Politikave Publike pranë Qëndresës Qytetare rekomandon se:
- Qeveria duhet të vendosë fokusin në shmangien e falimentimit të biznesve të mesme dhe të vogla. Mbështetja financiare duhet të jetë transaprente, jo diskriminuese dhe masive.
- Qeveria duhet të menaxhojë me kujdes deficitin buxhetor dhe borxhin publik, i cili ka arritur shifrën rekord prej 80%. Nevojitet një shkurtim drastik i shpenzimeve operative si në nivel vendor, po ashtu edhe në nivel qëndror.
- Qeveria duhet të pezullojë të paktën për 2 – 3 vite kontratat koncensionare PPP që nuk kanë filluar nga zbatimi dhe të rishikojë ato në proces.
PËR TË LEXUAR RAPORTIN E PLOTË JU LUTEM KLIKONI KËTU