Ministria e Kulturës në “karantinë” ndaj shkatërrimit të trashëgimisë kulturore
Në orët e para të së djelës së 17 majit 2020, policia ndërhyri në ambjentet e Teatrit Kombëtar, duke nxjerrë nga godina aktivistët që prej dy vitesh qëndronin në ambjentet e tij për ta mbrojtur nga shembja. 1 Pa zbardhur akoma dita, Teatri Kombëtar u shemb, duke sjellë në shesh grumbullimin e qindra qytetarëve në shenjë proteste, edhe pse ishim në kushte pandemie dhe thirrjet për të qëndruar në shtëpi dhe distancim social ishin akoma në nivel të lartë. Megjithatë, përpos aktit të shembjes së godinës së Teatrit Kombëtar, një çështje që ngriti një diskurs të gjerë publik me argumente dhe kundër argumente për rëndësinë e godinës, institucioni i cili direkt ose indirekt e kishte në ngarkim mbi rëndësinë kulturore të aktiviteteve që zhvillon dhe godinës që përfaqëson Teatri, ishte edhe Ministria e Kulturës. Megjithatë nëse do të analizojmë komunikimin e Ministrisë së Kulturës përmes faqes së saj zyrtare shohim se nuk ka asnjë reagim për këtë çështje, qoftë kjo në mbështetje ose jo të shembjes së godinës. Me një vendim të Këshillit të Ministrave të datës 8 maj 2020, me propozim të Ministrisë së Kulturës, Teatri dhe trualli i tij prej 5 522 metrash katrorë i kalojnë në pronësi bashksië Tiranë, duke hequr kështu çdo përgjegjësi të ministrisë përkatëse mbi këtë çeshtje. Mos reagimi dhe refuzimi për të mbajtur pozita të caktuara në debatet publike për çështje që i përkasin aspektit kulturor dhe të trashëgimisë, pasohet më pas me vonesë në reagim në rastin e dëmtimit të dy kolonave të parkut arkeologjik të Apolonisë.