👉 QQ: Minstrat e Arsimit të 2 vendeve të akuzuar për Plagjiaturë
👉 Qiraxhi: Përpara bashkimit dhe unifikimit të vlerave 2 qeverite tona unifikuan plagjiatorët dhe antivlerat
👉 Rron Gjinovci: Bashkohemi kundër korrupsionit, hajduteve dhe plagjiaturës
Ditën e sotme Qëndresa Qytetare dhe Organizata për Rritjen e Cilësisë në Arsim reaguan njëkohësisht përballë Ambasadës së Kosovës në Tiranë dhe Ambasadës Shqiptare në Prishtinë ndaj plagjiaturave të ministrave të arsimit të dy vendeve.
Plagjiatura është vjedhje, vjedhje e pronës intelektuale. Per pasoje dhe Plagjiatori ështe hajdut. Fatkeqësisht, minstrat shqiptarë të arsimit në Kosovë dhe Shqipëri janë autorë punimesh që përbëjnë plagjiaturë.
Në krye të arsimit shqiptar qëndrojnë si Ministra Ramë Likaj dhe Evis Kushi të cilët janë akuzuar nga aktorë të shoqërisë civile dhe media për plagjiaturë, ndërkaq asnjëherë nuk kanë sqaruar nga ana e tyre çështjen e integritetit të tyre akademik.
Të pasurit në krye të arsimit plagjiatorë si Likaj e Kushi përbën papërgjegjshmërinë më të madhe të qeverive të Shqipërisë dhe Kosovës duke pasur parasysh situatën e arsimit në Kosovë e Shqipëri.
Me këtë situatë, më e pakëta që u duhet shqiptarëve është që ministrat t’i kenë plagjiatorë, hajdut te pronesive intelektuale te tjeterkujt. Bashkimi i tyre si ai i datë 2 Tetor, nuk i bën as nder as favor arsimit, përkundrazi kjo tregon se perpara bashkimit dhe unifikimit te vlerave 2 qeverite tona bashkojne antivlertat, bashkoj plagjiatorët, u jep zemër atyre dhe i bënë më të fortë, ndërkohë që janë përgjegjësit kryesorë për gjendjen e mjerueshme të arsimit në vendet tona u shpreh Migen Qiraxhi, aktivist i Qëndresës Qytetare.
Përballë bashkimit të tyre, Qëndresa Qytetare në Shqipëri dhe Organizata për Rritjen e Cilësisë në Arsim (ORCA) në Kosovë, i ftuan qytetarët e Kosovës dhe Shqipërisë të përbashkohen, siç na fton hymni kombëtar, por kësaj radhe kundër plagjiaturës.
Rinia e Kosovës dhe Shqipërisë duhet të bashkohen kundër çdo lloj vjedhje, kundër çdo lloj gënjeshtre, të kujtdo dhe secilit, për të marrë pozicion të qartë pro emancipimit shoqëror dhe kombëtar. Bashkimi nëpër tubimesh partish apo gjunjezimi para pushtetareve nuk i ben dobi kombit shqiptar. Shqiptarëve u duhet bashkimi kundër korrupsionit, kundër hajduteve, kundër gënjeshtrave publike edhe kundër plagjiaturës, për një komb të lirë, të barabartë e të emancipuar siç e kanë dashur e projektuar ideatorët e tij, u shpreh drejtuesi i ORCA Kosovë Rron Gjinovci.
Në përfundim të reagimit organizatorët zbuluan hymnin e ri kombëtar që i dedikohet arsimit dhe integritetit të tij, sepse shpëtimi ynë i vetëm është arsimi i mirëfilltë.