Ndryshimi i shpeshtë i filozofisë së sistemit arsimor, nga ai Finlandez tek sistemi Gjerman dhe më pas tek ai Anglo-Sakson, pa patur më parë një studim paraprak dhe pa konteksualizuar këto ndryshime me realitetin e vendit tonë, ka krijuar një klimë jo favorizuese për procesin e pranimeve në IAL-të publike. Ndryshimet e shpeshta të kritereve të pranimit gjatë rrugës së formimit të tyre nuk i ndihmojnë maturantët që të përputhin ritmet e studimeve të tyre me këto kritere. Nga ana tjetër, në aspektin strategjik, Ministria e Arsimit, Sportit dhe Rinisë nuk adreson në mënyrë të decentralizuar proçesin e pranimeve në IAL-të publike, si për ciklin e parë të studimeve, ashtu edhe për të dytin, edhe pse Ligji 80/2015, në nene të ndryshme të tij i ka njohur një sërë kompetencash universiteteve për mbarëvajtjen e proçesit pranues të studentëve.
Shpesh edhe situata ekonomike kthehet në pengesë për qasjen e të rinjve në universitet. Sipas raportit të Friedrich Ebert “Pabarazia në Europën Juglindore”, vetëm 1% e personave që vijnë nga shtresat e varfra kanë akses në arsimin publik apo privat. Në vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor, kjo shifër varionte nga 4% në 11%. Diskriminimi i të rinjve të shtresës së varfër dhe të zonave më të varfra të vendit për shkollim universitar thellohet akoma më shumë në studimet e ciklit të dytë (Master), për shkak të kostos së papërballueshme të studimeve. Madje, këtë e lejon edhe vetë ligji i arsimit të lartë (80/2015), i cili, jo vetëm që nuk parashikon tavan për tarifën e studimeve në universitetet publike, por i jep mundësi universiteteve publike të vendosin tarifa më të larta se sa kostoja reale e
studimeve.
Nisur nga situata e pandemisë në vend dhe rënia ekonomike që po kalon vendi ynë, edhe shifra 1% e evidentuar për vitin akademik 2018 – 2019, priret të shkojë drejt rënies. Nga ana tjetër universitetet dhe MASR për shkak të mungesës së akteve nënligjore nuk po fillojnë implementimin e sistemit të kredisë studentore, për studentët që nuk kanë mundësi financiare dhe dëshirojnë të vijojnë studimet Bachelor dhe Master, në mënyrë që ata të kenë mundësi të shkollohen dhe, pasi të punësohen, të fillojnë të kthejnë kredinë me lehtësira të kushtëzuara nga rezultatet e arritura në studimet e përfunduara.
Pra faktorët që ndikojnë drejtpërdrejt në aksesin e studentëve në arsim, janë ndryshimet e njëpasnjëshme të politikave, siç është edhe rasti i kriterit të mesatares pranuese, roli centralizues i MASR në raport me universitetet dhe pamundësia ekonomike e familjeve të studentëve për të paguar studimet.