Ministria e Turizmit dhe Mjedisit u krijua shtatorin e 2017 si pasojë e një ristrukturimi të Qeverisë. Ministria e Zhvillimit Ekonomik, Turizmit, Tregëtisë dhe Sipërmarrjes, shkrihet duke iu bashkangjitur respektivisht Ministrisë së Financave, Ministrisë së Mjedisit dhe Ministrisë së shtetit për mbrojtjen e sipërmarrrjes. Bashkangjitja e turizmit, ministrisë së mjedisit i shtoi barrën e punës dhe përgjegjësive, sidomos sepse shpesh herë vendimet dhe politikat e këtyre dy institucioneve bien ndesh me njëra tjetrën. Muajt e fundit, si pasojë e përpjekjeve të qeverisë për të rimëkëmbur ekonominë e vendit pas goditjes që shkaktuan dy tërmetet dhe pandemia Covid-19, po i kushtohet një vëmendje e veçantë promovimit të Turizmit, si një nga kontribuesit më të mëdhenj në Produktin e Brendshëm Bruto të vendit tonë.
Mungesa e turistëve të huaj solli rritjen e turistëve vendas. Agjencia Kombëtare e Zonave të Mbrojtura i dërgoi ekipit të Qëndresës Qytetare statistikat e vizitorëve të sipërfaqeve dhe atraksioneve natyrore nën varësinë e administratave rajonale të zonave të mbrojtura të vendit gjatë periudhës Qershor – Shtator 2020, ku vetëm për muajin gusht numri i vizitorëve shënonte 354 876 të tillë, teksa totali ishte 567 920 vizitorë
Përpjekjet për të shpëtuar turizmin, sidomos gjatë verës që sapo kaloi, jo në pak raste kanë pasur efekte negative për mjedisin. Në punimin e mëposhtëm do të sjellim rastin e tre vendimmarrjeve të vitit 2020, të cilat kanë pasur ose pritet të kenë ndikim negativ të drejtpërdrejtë në jetën e qytetarëve dhe mjedis: Shkrirjen e Inspektorateve, Ligjin për Bregdetin dhe Ndërtimin e Aeroportit të Vlorës.