Fillesat e nismës “Shqipëria 1 Euro” nga Qeveria Berisha
Shqipëria 1 Euro është një nismë e ndërrmarrë nga qeveria Berisha, e prezantuar publikisht në vitin 2006 e cila ka hyrë në fuqi me anë të VKM nr. 162, datë 07.03. 2007 “Për dhënien me qira ose enfiteozë të pasurive të ndërmarrjeve, shoqërive dhe institucioneve shtetërore1”. Sipas kësaj VKM-je, tarifa e qerasë apo e enfiteozës, e objekteve të ndërmarrjeve ose shoqërive shtetërore, ku qiramarrësi ose enfiteozëmarrësi kryen një veprimtari prodhuese, do të jetë 1 euro kontrata. Kriteret e konkurrimit, për këto kontrata do të përcaktoheshin rast pas rasti nga Këshilli i Ministrave. Sipas kesaj nisme, pasuritë dhe resurset publike do të viheshin në dispozicion të investitorëve për një afat nga 50 deri në 99 vjet. Po ashtu theksohet se në rast se subjekti, nuk realizon kushtet e kontratës, atëherë tarifat e qerasë përllogariten sipas tarifave të përcaktuara nga qeveria për qeratë, si dhe penalizohet me gjobë, në masën e garancisë së depozituar, në çastin e lidhjes së kontratës. Vlera e garancisë për këto subjekte ishte 10% e vlerës së investimit të marrë përsipër në konkurrim dhe garancia kthehet pas përfundimit të investimit. Gjatë prëzantimit të saj, kryeministri i kohës u shpreh se do t’u ofrohen investitorëve troje publike dhe lehtësira të tjera me një euro. Nëpërmjet kësaj nisme synohej që Shqipëria të bëhej një vend konkurues në rajon për thithjen e investimeve të huaja, si dhe të stimulohej shtimi i vendeve të reja të punës. Por mbi të gjitha, synimi kryesor i nismës “Shqipëria 1 Euro” ishte krijimi i parqeve industriale dhe parashikohej se do të ndërtoheshin minimalisht gjashtë parqe të tilla në Shkodër, Tiranë, Durrës, Fier, Elbasan dhe Vlorë.
Për më shumë lexoni raportin e plotë më poshtë 👇: