Arti dhe kultura (e pavarur) jashtë hartës së mbështetjes nga
Qeveria gjatë 11 muajve pandemi
Pandemia e shkaktuar nga virusi COVID-19 për pak ditë bën një vit që ka kapluar Shqipërinë. Më 8 mars 2020, në Shqipëri u konfirmuan dy rastet e para me COVID-19, të cilët kishin ardhur nga Italia. Më 10 mars Shqipëria u fut në karantinë duke u pezulluar në këtë formë qarkullimi, dalja e lirë e qytetarëve përveç orareve të përcaktuara dhe thirrjet për higjienë personale dhe dezinfektim u shtuan më tepër në retorikën politike dhe institucionale. Ashtu sikurse në të gjithë botën, kjo situatë erdhi me të papritura dhe të panjohura në fushën e shëndetësisë ku rregullat e ndryshuara në mënyrë të njëpasnjëshme diktonin jetën shoqërore pa krijuar një siguri për të ardhmen. Kjo situatë pandemike solli nevojën për vëmendje për të gjitha shtresat e shoqërisë në Shqipëri, qoftë në aspektin shëndetësor, por edhe në atë ekonomik, në kohën kur vendi kaloi në karantinë për dy muaj, 9 mars 2020-31 maj 2020, por edhe më tej. Më 15 mars 2020 përmes një akti normativ të qeverisë shqiptare u sanksionuan një sërë rregullash dhe kërkohej forcimi i zbatimit të tyre me qëllim parandalimin dhe luftimin e përhapjes së infeksionit të shkaktuar nga COVID-19.
Një pikë e këtij akt-vendimi ishte edhe mbyllja e të gjitha veprimtarive kulturore dhe artistike në vend. Sipas vendimit kushdo që organizon një aktivietet kulturor apo sportiv duke çuar në grumbullime masive do të dënohej me pesë million lekë. “Subjektet apo individët që organizojnë zhvillimin e aktiviteteve publike dhe jopublike, si aktivitete sportive, kulturore dhe konferenca, apo grumbullimet masive në vende të mbyllura apo të hapura, si koncerte, tubime dhe dëgjesa publike, dënohen me gjobë në masën 5 000 000 (pesë milionë) lekë për organizatorët dhe ndalimin e aktivitetit, -thuhej në aktin normativ.
Për më shumë lexoni raportin e plotë më poshtë 👇: