Mjekësia e Përgjithshme vazhdon të mbetet një nga degët më të kërkuara për maturantët e çdo brezi, së bashku me inxhinieritë dhe informatikën. Në të njëjtën kohë, Shqipëria ka numrin më të ulët të mjekëve në rajon me vetëm 1.2 mjek për 1000 banorë. E me sa duket mungesa e personelit shëndetësor do të theksohet edhe më shumë në vitet e ardhshme duke qenë se gjithmonë e më pak studentë po vazhdojnë specializimin në Shqipëri. Vitet e fundit vihet re që janë të paktë mjekët e rinj që zgjedhin të konkurojnë për specializim në Universitetin e Mjekësisë të Tiranës, duke zgjedhur të largohen drejt një vendi tjetër. Edhe këtë vit, kërkesa ishte më e ulët se oferta. Nga 285 kuota të miratuara, vetëm 236 mjekë të rinj zgjodhën të konkurojnë për një vend. E nga këto 236, 41 zgjodhën të tërhiqen ose të mos paraqiten në momentin e fundit. Kjo situatë në fakt, ka vite që ndjehet, së pari nga vetë personeli shëndetësor, nga drejtuesit Universitetit të Mjekësisë apo nga bluzat e bardha në strukturat shëndetësore në vendin tonë. E përsëri ato që e vuajnë më tepër, janë qytetarët, sidomos në lokalitete më të vogla, ku qendrat shëndetësore e strukturat spitalore po vuajnë për mjekë specialistë, duke e detyruar qytetarin t’i drejtohet Qendrës Spitalore Universitare “Nënë Tereza” ose spitaleve private në Tiranë. Në këtë raport është analizuar situata me specializimet afatgjata në mjekësi për periudhën 2016-2021, me qëllim evidentimin e situatës dhe arsyeve pse mjekët e rinj nuk zgjedhin ta vazhdojnë formimin e mëtejshëm në vendin tonë.
Për më shumë lexoni raportin e plotë më poshtë 👇: