Varfëria është një fenomen i përhapur në të gjithë botën dhe kudo bëhen përpjekje të shumta për të vlerësuar numrin e individëve të cilët konsiderohen të varfër. Nga përvoja e vendeve të tjera, për të matur nivelin e varfërisë përdoren tregues me emërtime të ndryshëm si “niveli zyrtar i varfërisë”, “minimumi i ekzistencës”, “pragu i varfërisë”, “minimumi jetik”, “standardet minimale sociale” etj.
Në Shqipëri, minimumi jetik përkufizohet si niveli i të ardhurave, i cili garanton që konsumi të përmbushë kërkesat minimale të qenieve njerëzore në aspektin e nevojave fizike dhe sociale. Në trajtimin e nocionit të minimumit jetik, përkufizimet e dhëna janë të shumta duke përfshirë si ato ndërkombëtare (ILO, FAO) dhe kombëtare (Kodi Penal, Fjalori Enciklopedik Shqiptar).
Sipas këtij treguesi konsiderohet si “i varfër” çdo individ i cili ndodhet “nën nivelin e minimumit jetik”. Kur flasim për minimumin jetik, flasim për varfërinë dhe jo perceptimin e një varfërie relative por varfërie absolute, pamundësia për të arritur minimalisht një konsum të denjë! Varfëria nuk është vetëm konsum i nevojave bazë për ushqim, nuk është privim monetar apo material, varfëria është privim i dinjitetit njerëzor për të pasur shanse të barabarta në jetë. Në këtë kuptim varfëria është një thirrje e fortë për ndryshim rrënjësor të sistemit dhe elitës politike. Varfëria e lartë krijon rreth vizioz në shumë aspekte ekonomike dhe sociale. Duhet të pranojmë që të varfërit janë totalisht të varur nga sistemi, ata nuk kanë potencial për të ndryshuar sistemin dhe kjo gjë e bën edhe më të vështirë trajtimin e varfërisë.
Për më shumë lexoni raportin e plotë më poshtë 👇: