Pushtimi rus i Ukrainës tronditi ekonominë botërore, që ende nuk ishte rimëkëmbur plotësisht nga goditja e pandemisë. Sulmi i armatosur erdhi pas javësh të tëra tensionesh që futën në krizë ekonominë botërore, duke ndikuar në rritjen e çmimit të energjisë. Shumë analistë të fushës së ekonomisë1 por edhe më gjerë kanë përpiluar skenarët e mundshëm se si do të vijojë situata politikoekonomiko-sociale në periudhën afatgjatë, ku natyrisht, është e pamundur të shterohen të gjitha mundësitë. Këto parashikime janë të përqendruara në ekonomitë kryesore në botë, por vendet kudo në glob pritet të ndikohen nga rritja e çmimeve të mallrave, të ushqimeve kryesore dhe energjisë. Problematika kryesore lidhet me familjet që shpenzojnë një pjesë gjithnjë e më të madhe të të ardhurave të tyre për karburant dhe ngrohje, të cilat të ndikuara nga konflikti dhe ndryshimet e çmimeve, do të kenë më pak para për mallra dhe shërbime të tjera. Në vendin tonë rritja e çmimeve ka filluar që në periudhën e shtatorit të vitit 2021 e në vijim, e shkaktuar nga faktorë të brendshëm dhe të jashtëm. Ndonëse kjo është një krizë globale, së cilës nuk do t’i shpëtojmë dot, situata e luftës Rusi-Ukrainë ishte vetëm krisja e fundit që theksoi më tej problemet ekonomike me të cilat po përballej vendi ynë.
Për më shumë lexoni raportin e plotë më poshtë 👇: