Në Dhjetor të vitit 2002, Këshilli Evropian në Kopenhagen konfirmoi perspektivën Evropiane dhe mbështetjen për vendet e Ballkanit Perëndimor dhe Shqipërinë si kandidate potenciale për të qenë anëtare të Bashkimit Evropian.1 Në prill të vitit 2009 Shqipëria paraqiti kërkesën e saj zyrtare për anëtarësim në BE dhe në tetor të vitit 2012, Komisioni Evropian rekomandoi që Shqipërisë t’i jepet statusi i kandidatit në BE, me kusht që të plotësohen reformat kyçe në fushat e gjyqësorit, të administratës publike dhe shtetit të së drejtës. Pas mbledhjes së Këshillit në qershor të 2014 në Bruksel, Shqipërisë iu dha statusi i vendit kandidat nga BE dhe prej asaj periudhe Shqipëria dhe qytetarët e saj kanë kaluar në një kalvar të gjatë e të mundimshëm në pritje të hapjes së negociatave për anëtarësim në BE. Më shumë se kurrë kjo perspektivë dukej e zbehur prej kohës dhe humbjes së besimit në këtë proces dhe nga viti 2014 dukej se progresi i Shqipërisë, reformat e ndërmarra dhe agjenda e ndjekur nga qeveria pati rezultuar të jetë jo e sukseshme për të hapur negociatat dhe mbajtur konferencën e parë ndërqeveritare. Tetë vite më pas, Shqipëria do të hapte negociatat me Bashkimin Evropian në korrik të vitit 2022 dhe do të mbante konferencën e parë ndërqeveritare.
Për më shumë lexoni raportin e plotë më poshtë 👇: