Plastika si material i plotë sintetik u krijua për herë të parë në vitin 1907 dhe qysh prej atëherë do të luante një rol tejet të rëndësishëm në industri dhe në çdo fushë për kryerjen e funksioneve të ndryshme si për të prodhuar ambalazhe, materiale në ndërtim, tekstile, produkte të konsumit, makineri elektrike, elektronike dhe industriale. Për vite me rradhë njerëzimi ka shfrytëzuar në maksimum lëndën e plastikë, pa menduar për pasojat ekologjike dhe shëndetësore që ajo mund të sjellë. Sipas Global Change Data Lab1, në vitin 1950, bota prodhonte vetëm 2 milionë tonë plastikë në vit. Që atëherë, prodhimi vjetor është rritur gati 230 herë, duke arritur në 460 milionë tonë në 2019. Ndërkohë nga 5800 milionë tonë plastikë parësore që nuk përdoren më, vetëm 9 për qind është ricikluar që nga viti 1950. Sa i përket Shqipërisë, e cila njihet si një nga vendet që kontribuon më së shumti në ndotjen e oqeaneve në botë, rezulton se vetëm për vitin 2019, janë emëtuar mesatarisht 0.54 kg plastikë për person. Ndërkohë që mbetjet plastike të keqmenaxhuara për frymë në Shqipëri, në 2019, janë 24.24 kg për person, një shifër kjo, tejet alarmante. Duke konsideruar dëmet që plastika ka shkaktuar në të gjithë botën, shumë qeveri kanë ndërmarrë masa të ndryshme për parandalimin e përdorimit të saj. Duke kuptuar dëmin që po shkaktonte plastika, në vitin 2002, Bangladeshi bëhet vendi i parë në botë që zbaton një ndalim për qeset e hollë plastike, pasi u zbulua se ato luajtën një rol kyç në bllokimin e sistemeve të kullimit gjatë përmbytjeve. Më pas, vendet e tjera fillojnë e disa prej tyre tentojnë të ndjekin shembullin e tij.
Për më shumë lexoni raportin e plotë më poshtë 👇: