Të rinjtë e papunësuar dhe as të përfshirë në forma të tjera trajnimi apo edukimi Papunësia e të rinjve mbetet një problem strukturor në Shqipëri dhe popullsia e re ka qenë një nga më të prekurat pasi shkalla e papunësisë për të rinjtë u rrit në 37.7% në 2021, që rezulton me 5.4 pikë përqindje më shumë se në qershor 2020 (Banka Botërore, 2021).1 Riintegrimi i të rinjve në tregun e punës është duke ecur me ritme të ngadalta, pasi të dhënat tregojnë se nivelet e pjesëmarrjes së tyre kanë qenë të njëjta për dy tremujorë radhazi në vitin 2021 dhe përqindja nuk ka lëvizur ndjeshëm që nga viti 2020, kur pandemia e COVID-19 ishte në kulmin e saj.
Sipas publikimit të fundit të INSTAT, Tregu i Punës (2021)2, shkalla e papunësisë për të rinjtë e moshës 15-24 vjeç është 27,1 %. Në raport me vitin paraardhës, shkalla e papunësisë së të rinjve ka pësuar një rritje prej 0,6 pikë përqindje (fq.17).
Shqetësues mbetet numri i lartë i të rinjve jo të punësuar dhe as të përfshirë në forma të tjera trajnimi apo edukimi, apo që nuk ndjekin shkollën. Në vitin 2021, të rinjtë e grupmoshës 15-29 vjeç, të cilët nuk ishin të punësur, nuk ndiqnin shkollën apo ndonjë formim profesional, përbënin 26,1 % të të rinjve gjithsej. Sipas INSTAT (2021) në këtë grup, 37,3 % e të rinjve janë të papunë dhe pjesa tjetër janë jashtë tregut të punës për arsye se janë të dekurajuar (15,4 %), duke përmbushur detyra dhe përgjegjësi familjare (17,5 %), ose (29,8 %) për arsye të tjera (fq.21).
Për më shumë lexoni raportin e plotë më poshtë 👇: