Në Shqipëri, depolitizimi i administratës publike nuk është vetëm një standard që duhet përmbushur, por një sfidë themelore për përmirësimin e funksionimit të administratës publike. Administrata Publike në Shqipëri është në një tranzicion të vazhdueshëm dhe vazhdon të jetë vulnerabël nga ndikimi i politikës dhe nga ndryshimet e vazhdueshme të pushtetit. Influenca e vazhdueshme e politikës mbetet arsyeja prapa problematikave që mbizotërojnë në administratën publike (Dhëmbo.E, 2014, f.46, 47). Nga sondazhi kombëtar “Besimi në qeverisje” për vitin 2021, ka rezultuar se pesë institucionet që perceptohen nga publiku si më të korruptuarat ishin gjyqësori, ndjekur nga institucionet e kujdesit shëndetësor dhe administrata publike (IDM, 2022, f.8).2 Një administratë publike transparente dhe funksionale është parakusht për qeverisje demokratike transparente dhe efektive. Administrata publike është në themel të funksionimit të shtetit, dhe reflekton aftësinë dhe vullnetin e qeverisë për të ofruar shërbime publike cilësore. Një nga sfidat kryesore për Shqipërinë mbetet zhvillimi i institucioneve të përgjegjshme dhe transparente që ofrojnë shërbime publike efektive. Institucione publike, me individë të cilët janë punësuar në bazë të lidhjeve politike, korrupsionit, apo nepotizmit e jo me meritë, rezultojnë në shërbime dhe infrastrukturë publike me cilësi të dobët, duke cënuar kështu legjitimitetin e institucioneve publike dhe ulur besimin në publik.
Për më shumë lexoni raportin e plotë më poshtë 👇: