Matura Shtetërore u vendos si një ndryshim thelbësor në sistemin arsimor parauniversitar gjatë pranverës së vitit 2006. Kjo reformë kishte për qëllim të eliminonte parregullsitë në administrimin dhe vlerësimin e provimeve të maturës në shkollat e mesme, si dhe të luftonte praktikat korruptive në regjistrimin e maturantëve në universitet. Para se të zbatohej ky ndryshim, provimet e maturës ishin vetëm provime përmbyllëse të arsimit parauniversitar dhe regjistrimi në programe studimi në universitet bazohej në provimet hyrëse që organizonin vetë universitetet ose fakultetet. Administrimi dhe vlerësimi i provimeve të maturës ishin në përgjegjësi të stafit akademik të shkollave të mesme. Në vijim të risive të vitit 2006 dhe para vitit shkollor 2018-2019, provimet e Maturës vinin në provë njohuritë dhe kompetencat e nxënësve në pesë provime; tre provime bazë dhe dy provime me zgjedhje, por me ndryshimet e bëra gjatë vitit shkollor 2018-2019, nxënësit do duhet të zgjedhin vetëm një provim me zgjedhje. Gjuha shqipe dhe letërsia, së bashku me matematikën dhe gjuhën e huaj, formojnë provimet bazë të cilat kryhen nga të gjithë maturantët. Provimi i gjuhës së huaj ndryshon nga shkolla-në-shkollë në bazë të gjuhës kryesore që nxënësit zhvillojnë gjatë viteve të shkollës së mesme. Provimet me zgjedhje zgjidhen nga vetë nxënësit dhe ndihmojnë në përcaktimin e profilit të tyre, bazuar në preferencat që kanë për regjistrimin në universitet. Çdo universitet përcakton kriteret e veta dhe u jep aplikantëve më shumë pikë në rast se ata kanë zgjedhur një provim me zgjedhje të caktuar. Provimet me zgjedhje përfshijnë:
● Biologji
● Ekonomi
● Filozofi-Sociologji
● Fizikë
● Gjeografi
● Histori
● Kimi
● Qytetari-Psikologji
● Histori Baleti
● Histori Muzike
● Histori Arti
1 https://qbz.gov.al/share/kM3
Për më shumë lexoni raportin e plotë më poshtë 👇: