Procesi i aplikimit në IAL (Institucionet e Arsimit të Lartë) së bashku me datat përkatëse specifikohen në Urdhrin nr. 10, dt. 10/07/20231 , të lëshuar nga Qëndra e Shërbimeve Arsimore (QSHA) dhe Rrjeti Akademik Shqiptar (RASH). Ndryshimi kryesor nga viti i kaluar është se tashme kandidatët do të konkurojnë vetëm në dy raunde aplikimi në vend të tre. Megjithatë, kandidatët do të kenë mundësi që të regjistrohen në një program studimi në IAL pavarësisht aplikimit në portalin e aplikimit universitar UAlbania, për një periudhë 6 ditore pas përfundimit të raundit të dytë. Për të aplikuar në procesin e maturës shtetërore në mënyrë që të finalizojnë ciklin e shkollës së mesme, nxënësit e klasave të 12 (maturantë) do duhet që të plotësojnë paraprakisht formularin A1. Ky formular është detyrim edhe për aplikimin universitar, pasi pa të maturantët nuk mund të vijojnë me këto procese. Gjatë këtij viti, formulari A1 është plotësuar nga rreth 27 260 maturantë, të cilët gjatë plotësimit të tij kanë opsionin e shprehjes se interesit për të studiuar jashtë vendit. Ky opsion është zgjedhur nga rreth 39.8% e të gjithë maturantëve të këtij viti, çka shpreh dëshirën e një pjesë të madhe të tyre për t’u larguar nga vendi. Në Shqipëri, ka 13 institucione të arsimit të lartë (IAL) publike dhe 26 IAL private. Këto institucione ofrojnë një total prej rreth 32,700 vendesh studimi në 653 programe të ndryshme. Për krahasim, numri i aplikantëve për vitin akademik 2023 ka shënuar një ulje prej 6.6% në krahasim me vitin e kaluar. Konkretisht, kemi pasur 19 612 aplikantë në vitin 2023, ndërsa rreth 21 000 aplikantë në vitin 2022. Megjithatë, IAL-të kanë shënuar një rritje në disponibilitet. Numri i programeve të studimit është rritur me 15.1% krahasuar me vitin 2022, duke shkuar nga 555 programe studimi në 2022 në 653 për vitin akademik 2023. Po ashtu, numri i vendeve të studimit është shtuar me 2.2%, duke arritur në 32 700 kuota për vitin 2023, në krahasim me 30 007 kuota të ofruara në vitin 2022.
Për më shumë lexoni raportin e plotë më poshtë 👇: