Në vitin 2018, Kuvendi i Shqipërisë miratoi ligjin nr. 22/2018 “Për Strehimin Social”, duke sjellë një qasje të re dhe më gjithëpërfshirëse ndaj politikave të strehimit. Një nga risitë më të rëndësishme dhe njëkohësisht më të debatuara të këtij ligji është ajo e përcaktuar në nenin 19, i cili parashikon se subjektet private që ndërtojnë banesa me sipërfaqe mbi 2000 m² kanë detyrimin të kalojnë në pronësi publike të paktën 3 për qind të sipërfaqes së ndërtuar.
Ky detyrim synon të krijojë një mekanizëm solidariteti mes sektorit privat dhe interesit publik, duke garantuar që zhvillimi urban të kontribuojë edhe në rritjen e fondit të banesave sociale. Me ndryshimet ligjore të mëvonshme, ky detyrim mund të përmbushet në disa forma: nëpërmjet kalimit të drejtpërdrejtë të sipërfaqes në banesa të përfunduara, nëpërmjet pagesës së një vlere monetare ekuivalente, ose përmes ofrimit të një sipërfaqeje të barasvlershme në një vendndodhje tjetër, të shoqëruar me dokumentacionin përkatës ligjor.
Duke vlerësuar rëndësinë që kjo formë e “taksës sociale” ka në rritjen e fondit publik të banesave sociale, ky raport analizon në mënyrë të detajuar bazën ligjore, ndryshimet përkatëse dhe debatet që kanë shoqëruar zbatimin e saj, përfshirë kundërshtimet dhe ankimimet e paraqitura ndaj ligjit.
Për të ofruar një panoramë të qartë mbi kontributin real të sektorit privat në krijimin e fondit publik të strehimit, raporti paraqet të dhëna konkrete për Bashkinë e Tiranës, duke analizuar numrin e banesave të siguruara dhe të shpërndara deri në momentin e hartimit të tij.










