Investimet publike përbëjnë një nga shtyllat kryesore të zhvillimit ekonomik dhe social të një vendi, ndaj edhe buxhetimi i tyre mbetet një element thelbësor i politikave publike. Në krahasim me shpenzimet korrente, investimet publike janë ato që gjenerojnë kthimin më të lartë për shoqërinë dhe kanë ndikimin më të madh afatgjatë në zhvillimin e vendit.
Për një vend si Shqipëria, e cila prej më shumë se 35 vitesh ndodhet në një fazë të zgjatur tranzicioni, investimet publike janë jo vetëm të rëndësishme, por jetike për përmirësimin e infrastrukturës, shërbimeve publike dhe mirëqenies së qytetarëve. Në këtë kontekst, mënyra se si këto investime planifikohen, buxhetohen dhe zbatohen është tregues i qartë i drejtimit që po ndjek vendi: drejt zhvillimit apo drejt stagnimit.
Ky raport ka për qëllim të analizojë realizueshmërinë e projekteve të investimeve publike gjatë vitit 2024, duke qenë se, në momentin e përfundimit të këtij studimi, viti 2024 ishte viti i fundit për të cilin disponoheshin të dhëna të plota të raportuara. Konkretisht, janë analizuar të gjitha projektet e parashikuara në Programin Buxhetor Afatmesëm 2024–2026, faza III, për të cilat ishte planifikuar financim gjatë vitit 2024.










