Politikat sociale në fushën e arsimit të lartë përbëjnë një shtyllë të rëndësishme të shtetit social, duke synuar garantimin e aksesit të barabartë në arsim, përmirësimin e kushteve të jetesës së studentëve dhe lehtësimin e barrës ekonomike që shoqëron ndjekjen e studimeve universitare.
Megjithëse Karta e Studentit nuk përbën një koncept të ri në diskursin e politikave sociale për studentët, duke qenë e premtuar në mënyrë periodike që prej fillimit të viteve ’90, ajo u institucionalizua dhe u jetësua për herë të parë vetëm pas protestave studentore të vitit 2018.
Në këtë kuadër, në vitin 2019, në vijë kronologjike edhe me Paktin për Universitetin, qeveria shqiptare, nëpërmjet VKM nr. 226, datë 17.04.2019, vuri në funksion Kartën e Studentit. Kjo kartë u konceptua si një instrument i politikave publike që synon të ofrojë lehtësime ekonomike dhe përfitime konkrete për studentët, përmes aksesit të subvencionuar në shërbime dhe produkte të ndryshme në funksion të nevojave të tyre.
Ky zhvillim u shoqërua me pritshmëri të larta nga ana e komunitetit studentor, duke e pozicionuar Kartën e Studentit si një mekanizëm potencial për adresimin e pabarazive socio-ekonomike dhe për rritjen e mirëqenies së studentëve.
Megjithatë, shtatë vite pas lëshimit të kartave të para, implementimi i kësaj politike vazhdon të përballet me problematika strukturore dhe funksionale.








