PËRSHKRIM I SHKURTËR, CV DHE KONTAKTI ME ANALISTIN
Ilda, 24 vjeçe, studente masteri shkencor në Financë ka një histori të gjatë të aktivizmit publik për mjedisin, barazinë gjinore dhe fuqizimin e të rinjve. Dëshira dhe pasioni për të kontribuar në këto çështje e kanë shoqëruar gjatë zhvillimit të saj akademik dhe professional ndër vite.
Ajo ka qenë një nga themelueset e Outdoors Ambassadors Tirana, mbështetur nga Ambasada e SHBA-ve dhe Korpusi i Paqes. Ajo gjithashtu filloi vullnetarizmin si trajnere me Glow Albania, një iniciativë e krijuar për të ndihmuar brezat e ardhshëm të vajzave që të rriten dhe të bëhen lideret e së nesërmes.
Në vijim të angazhimit të saj qytetar, Ilda iu bashkuar Këshillit Rinor të Ambasadës Amerikane në Tiranë ku për 3 vite kontribuoi në fuqizimin e të rinjve nëpëmjet projekteve dhe iniciativave të ndryshme.
Në vitin 2019, ajo u përzgjodh delegatja e parë e Shqipërisë në Organizatën e Kombeve të Bashkuara, një program që synon të rrisë pjesëmarrjen e të rinjve shqiptarë në procesin e vendimmarrjes.
Aktualisht ajo është e angazhuar si menaxhere financiare/ Account Manager për startup-et dhe bizneset e vogla me bazë në SHBA dhe po përfundon mandatin e saj 2-vjeçar si delegate e të rinjve në “Kongresin e Autoriteteve Lokale dhe Rajonale” (Congress of Local and Regional Authorities) në Këshillin e Evropës.
Vizioni i saj është të ndihmojë në rritjen e ndërgjegjësimit qytetar, me shpresën që veprimet tona në nivel lokal, që shumica e njerëzve i marrin si të mirëqena, janë ato që kanë ndikimin më të madh në shkallë globale.