PËRSHKRIM I SHKURTËR, CV DHE KONTAKTI ME ANALISTIN

Ilda Kurti është një profesioniste e re nga Shqipëria, me formim kulturor në shkencat humanitare dhe ato shoqërore. Ka përfunduar studimet Bachelor në degën e Gjuhës dhë të Letërsisë, pranë Fakultetit të Historisë dhe Filologjisë në Universitetin e Tiranës. Është diplomuar si studente e dalluar në programin e Masterit Profesional të Redaktorisë. Përgjatë studimeve të masterit, ka marrë pjesë në programin e shkëmbimit semestral Erasmus+ në Fakultetin e Arteve, pranë Universitetit të Karlit në Pragë, ku ka ndjekur kurse të ndryshme lidhur me letërsinë dhe linguistikën.
Në vitin 2021, Kurti u diplomua nga programi i masterit të binjakëzuar ndërmjet Universitetit të Sarajevës dhe Universitetit të Bolonjës, ku ka marrë titullin shkencor ‘Master i Arteve në Studimet Rajonale për të Drejtat e Njeriut dhe Demokracinë në Europën Juglindore’.
Ilda ishte pjesëmarrëse e Trajnimit për Gazetarët e Rinj në Ballkanin Perëndimor të organizuar nga BIRN, bashkëpunim ky i cili u pasua nga një praktikë pune e mëtejme me stafin ndër-rajonal të BIRN. Përgjatë periudhës së trajnimit, Ilda ka bashkëpunuar me organizatën mediatike vendase Faktoje, ku ka mundur të hulumtojë gjerësisht rreth çështjeve të lidhura me trashëgiminë kulturore dhe të drejtat e refugjatëve, duke përdorur metodologji fakt-verifikuese. Si Alumna e programit ERMA, Ilda u përzgjodh si Korrespondentja Rajonale e parë pranë platformës Human Rights Preparedness, ku mbulon çështje të lidhura me shkeljet e të drejtave të njeriut në Ballkanin Perëndimor. Si hulumtuese shkencore e re, është tepër e dhënë pas studimeve kulturore dhe atyre gjinore, me nje fokus të veçantë në drejtësinë tranzitore. Zotëron njohuri solide në qasjen etike kundrejt ligjërimit të traumave, ku nëpërmjet punës në terren ka intervistuar të mbijetuar nga gjenocidi i Srebrenicës dhe ai i Kosovës. Pëlqen shumë analizat e diskursit; veçanërisht i pëlqen të studiojë seksizmin në ligjërimin e përditshëm, si dhe në fushën e medias dhe të politikës. Si aktiviste është e dedikuar në mbrojtjen e të drejtave të komuniteteve të margjinalizuara shoqërore, dhe është tepër vokale kundrejt dhunës me bazë gjinore.