Në tre vitet e fundit, perceptimi publik për efektivitetin e Avokatit të Popullit – organit kushtetues që mbron të drejtat, liritë dhe interesat e ligjshëm të individit nga veprimet ose mosveprimet e paligjshme e të parregullta të organeve të administratës publike është ulur duke u parë si një institucion që nuk ka një kërkesë të madhe llogarie kunddrejt qeverisë.1 Po ashtu, institucioni përballet me një sërë problematikash të tjera, ku më e rëndësishmja është vakanca e krijuar për pozicionin e Avokatit të Popullit për shkak të përfundimit të mandatit pesë vjeçar të Znj. Ballanca, e cila në përputhje me ligjin, vijon të ushtrojë funksionet e saj deri në zgjedhjen e Avokatit të ri të Popullit. Në këtë kontekst, ky raport synon të analizojë fillimisht legjislacionin që rregullon Avokatin e Popullit, me qëllim që të kuptohen qartë kompetencat dhe përgjegjësitë e këtij institucioni në kuadër të misionit të tij kushtetues për të mbrojtur dhe promovuar të drejtat, liritë dhe interesat e ligjshme të individëve. Me qëllim për të kuptuar efektivitetin e këtij institucioni, në këtë raport do të analizohet edhe veprimtaria e Zyrës së Avokatit të Popullit duke mbajtur në konsideratë të gjithë mekanizmat që ky institucion ka në dispozicion për të ushtruar detyrat e tij funksionale. Në përfundim, me qëllim përmirësimin e veprimtarisë së Zyrës së Avokatit të Popullit, si dhe përmirësimin e mekanizmave në dispozicion të këtij institucioni me qëllim që ky i fundit të përmbushë në mënyrë efektive detyrat e tij, do të ofrohen dhe rekomandimet përkatëse.
Për më shumë lexoni raportin e plotë më poshtë 👇: