Zgjedhjet Lokale të 2023 në Shqipëri, në ngjashmëri me zgjedhjet e viteve të kaluara, solli një nivel të ulët të kandidaturave të të rinjve për Këshill Bashkiak në të gjithë qytetet e Shqipërisë. Duke qenë se ligji nuk ka të vendosur kuota të detyrueshme për pjesëmarrjen e të rinjve në lista, kjo i lë hapësirë partive politike për t’i zgjedhur ato vetë mbi numrat e të rinjve në listat e tyre të kandidaturave. Kjo gjë bën të mundur lehtësimin për abuzim nga partitë politike dhe vështirësimin e mundësisë për pjesëmarrje në vendimmarrje nga të rinjtë. Bazuar në të dhëna nga INSTAT, popullsia nën 30 vjec në Shqipëri zë 30% të popullsisë totale në vend, çka tregon se edhe rëndësia e pjesëmarrjes së kësaj grupmoshe në vendimmarrje ka rëndesi të lartë.Përqindja e një grupi të caktuar të popullsise duhet te reflektohet edhe në përfaqesinë e tyre në organet e qeverisjes dhe vendimmarrjes, e në ketë rast perfaqesia do të sigurohej nëpermjet pjesëmarrjes proporcionale të të rinjve në Këshilla Bashkiak. Listat për Këshill Bashkiak, edhe këtë vit, çalonin në numrat e të rinjve të moshave 18-29 vjeç, ku vihet re si karakteristikë edhe renditja e tyre në lista. Partitë e mëdha e më të vjetra në mënyrë rendore vendosin në krye të listave kandidatë të moshave më të mëdha, duke u’a lënë rradhët e fundit kandidatëve të rinj. Në këtë mënyrë, mundësia e të rinjve për të fituar mandatin në KB ulet masivisht. Statistikat në Shqipëri tregojnë se, numri i grupmoshave të reja po ulet më nivele të larta si pasojë e emigracionit.2 Dukshëm edhe të rinjtë të cilët kanë zgjedhur të vazhdojnë jetesën në Shqipëri, nuk bëhen dot pjesë aktive e mirëqeverisjes dhe vendimmarrjes. Kjo vihet re edhe nga niveli i ulët i votuesve të rinj. Statistikat tregojnë se vetëm 12% e të rinjve – votues për herë të parë në Shqipëri, morën pjesë këtë vit në zgjedhje, duke ngritur pyetje mbi arsyet e numrave të ulët të të rinjve në procesin e votimit. Pavarësisht fushatave të shumta që KQZ ndërmorri, për të rritur ndërgjegjësimin e të rinjve për të marrë pjesë në votim, numri vijoi të qëndrojë i ulët.
Për më shumë lexoni raportin e plotë më poshtë 👇: