Arritjet dhe sfidat e Maturës Shtetërore 2023 Matura shtetërore e vitit 2023 u zhvillua në intervalin 1 deri më 19 qershor. Provimet e maturës përbëjnë një proces të rëndësishëm për maturantët në mënyrë që rezultatet e tyre në këto provime të përkthehen në pikë të cilat llogariten në aplikimin e tyre universitar. Numri i maturantëve gjatë këtij viti ishte 27 180 në provimin e Gjuhës Shqipe dhe Letërsisë, 27 543 në provimin e Matematikës, 27 263 në provimin e Gjuhës së Huaj, si edhe 27 389 në provimin e lëndës me zgjedhje. Në krahasim me vitin e kaluar, numri i maturantëve është rreth 7% më pak. Për të garantuar një proces të rregullt dhe për të parandaluar shkeljen e rregullores nga maturantët dhe administratorët, Ministria e Arsimit njoftoi marrjen e masave shtesë në zhvillimin e maturës shtetërore të këtij viti. Ministrja e Arsimit, znj. Evis Kushi udhëzoi për vendosjen e maturantëve në salla të mëdha, të pajisura me kamera dhe rritje të kontrolleve. Pavarësisht vendosjes së këtyre masave, procesi nuk shkoi pa probleme. Maturantët gjetën mënyrën për të marrë me vete telefonin e tyre celular në ambientet e zhvillimit të provimit, duke e përdorur atë si mjet për të kopjuar. Në një deklaratë për mediat, Ministrja e Arsimit, znj. Evis Kushi, theksoi se paçka se publikimi i tezave në rrjete sociale përbën shkelje të rregullores, procesi nuk cënohet. Ndryshe nga vitet e kaluara ku maturantët kanë kontestuar në masë hartimin e një ose më shumë provimeve duke i konsideruar ato jashtë programit orientues, këtë vit nuk pati reagime me anë të protestave.
Për më shumë lexoni raportin e plotë më poshtë 👇: