Më datë 16 korrik 2024, në mbledhjen e Komisionit për Ekonominë dhe Financat në Kuvend, përpara se Kontrolli i Lartë i Shtetit të prezantonte raportin vjetor të vitit 2023, kryetari i Komisionit, Eduard Shalsi, deklaroi se mes Parlamentit dhe Kontrollit të Lartë të Shtetit duhet të hapet një marrëdhënie e re. Në vijim, ai shtoi se vizita e përbashkët në National Audit Office, së bashku me nëpunës të Kontrollit të Lartë të Shtetit, i shërbeu atij për të mësuar më shumë nga auditimi në Mbretërinë e Bashkuar.2 Në këtë kontekst, Eduard Shalsi iu referua dhe idesë për ngritjen e një nënkomisioni për auditimin e sektorit publik, për përbërjen e të cilit, ishte dakordësuar me opozitën. Ndonëse disa përfaqësues të opozitës kundërshtuan ngritjen dhe përbërjen e këtij Komisioni, duke e cilësuar nismën si tipikisht politike dhe si një sulm ndaj institucioneve të pavarura, projektvendimi “Për ngritjen e nënkomisionit ‘Për auditimin e sektorit publik’” u miratua në seancën plenae të datës 25 korrik 2024, me 90 vota pro, 4 kundër dhe 1 abstenim.4 Ndërsa 42 deputetë të pranishëm kanë zgjedhur të mos votojnë për këtë projektvendim.
Vendimi nr. 70/2024 “Për ngritjen e nënkomisionit ‘Për auditimin e sektorit publik’” u miratua në një kohë kur raportet ndërmjet Kontrollit të Lartë të Shtetit dhe përfaqësuesve të mazhorancës në Kuvend ishin të tensionuara si gjatë raportimit në Komisionin e Ekonomisë dhe Financave,6 ashtu edhe në seancën plenare,7 të datës 25 korrik 2025, ku mazhoranca refuzoi kërkesën e opozitës për të futur në rendin e ditës edhe raportimin e KLSH-së, me arsyetimin se Kontrolli i Lartë i Shtetit nuk i kishte dhënë të gjitha përgjigjet e kërkuara nga deputetët në Komisionin e Ekonomisë dhe Financave.
Në këtë kontekst, ky Raport synon të analizojë veprimtarinë e Kontrollit të Lartë të Shtetit, e cila është bërë shkak për lindjen e nënkomisionit që synon auditimin e sektorit publik, duke u kufizuar në një analizë të veprimtarisë vetëm në tre vitet e fundit, objektin e veprimtarisë së nënkomisionit, duke mbajtur në konsideratë edhe qasjen britanike, të cilës, sipas deklarimeve në Kuvend, i janë munduar t’i përafrohen për të përmirësuar marrëdhëniet ndërmjet Kuvendit dhe Kontrollit të Lartë të Shtetit.
Për më shumë lexoni raportin e plotë më poshtë 👇: