Përdorimi i buxhetit të shtetit ka qenë dhe është një problem i shumëdiskutuar gjatë të gjitha viteve elektorale. Gjithmonë ka patur akuza dhe diskutime lidhur me keqpërdorimit e fondeve publike në mënyra të ndryshme gjatë periudhave zgjedhore. Për këtë arsye ky raport analizon ndryshimet që kanë ndodhur në buxhetin e shtetit, duke parë planifikimin, zbatimin e tij dhe gjithashtu përfituesit e tij përgjatë viteve elektorale kunddrejt viteve të cilat nuk kanë pasur zgjedhje. Të dhënat e marra për realizimin e këtij raporti kanë burim Ministrinë e Financave, INSTAT dhe Agjencinë e Prokurimeve Publike, ku janë analizuar indikatorë të ndryshëm. Për hartimin e raportit është përzgjedhur periudha janar-mars, duke sjellë një qasje krahasuese edhe me tremujorin e parë të vitit 2025, në rastet kur kemi pagesat e ekzekutuara të thesarit të shtetit. Rezultatet e shpenzimeve sipas funksioneve na tregojnë një përdorim më të madh të planifikuar në periudha elektorale të “Strehimit dhe Komoditetit të Komunitetit”, të “Shërbimeve të përgjithshme publike” dhe “Çështjeve ekonomike”. Këto janë tre funksionet që duket sikur u jepet më shumë rëndësi gjatë periudhave zgjedhore kunddrejt periudhave jozgjedhore. Po ashtu gjatë viteve të fundit vihet re një rritje e nivelit të shpenzimeve të paklasifikuara si dhe një qasje e qeveritarëve që këto shpenzime të jenë më të larta në periudha zgjedhore.
Për më shumë lexoni raportin e plotë më poshtë 👇: